Vizitë informuese e ekipit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, rreth proceseve të monitorimit dhe procedurave pasakredituese

Vizitë informuese e ekipit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, rreth proceseve të monitorimit dhe procedurave pasakredituese

Në kuadër të vizitave informuese në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, me qëllim të prezantimit të Rregullores së re nr. 04/2025 për Monitorim dhe Procedura Pasakredituese, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë qëndroi ekipi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Divizioni për Monitorim dhe nga Divizioni për Procedura Pasakredituese.

Ekipi i AKA-së u mirëprit nga Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, i cili në fjalën hapëse të takimit falënderoi ekipin e AKA-së për këtë iniciativë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Agjencisë dhe institucioneve të arsimit të lartë në vend.
Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Dekanët dhe Prodekanët e njësive akademike të UFAGJ, u.d. Sekretarja e Përgjithshme, Komisioni Qendror për Sigurimin e Cilësisë, përfaqësuesja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, Komisionet e Sigurimit të Cilësisë në kuadër të fakulteteve të UFAGJ, si dhe përfaqësues të studentëve.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja më e afërt e akterëve të sigurimit të cilësisë në Universitet, si dhe e njësive akademike, me procesin e monitorimit dhe vizitat pasakredituese, në përputhje me kërkesat e rregullores së re të AKA-së.

Gjatë takimit, znj. Shpresa Shala, udhëheqëse e Divizionit për Monitorim, prezantoi në detaje procedurat që ndiqen në kuadër të procesit të monitorimit, duke shpjeguar edhe llojet e monitorimeve që parashihen me këtë rregullore.
Ndërkaq, z. Milot Hasangjekaj, udhëheqës i Divizionit për Procedura Pasakredituese, prezantoi procesin dhe hapat që ndiqen për realizimin e vizitave pasakredituese, duke sqaruar të gjitha aspektet që lidhen me zbatimin praktik të kësaj rregulloreje.

Gjatë takimit, zyrtarët e AKA-së shpërndanë një poster informues për studentët, i cili thekson rëndësinë dhe rolin e tyre në sigurimin e cilësisë, duke i inkurajuar që të jenë pjesëmarrës aktivë në proceset e brendshme të sigurimit të cilësisë. Posteri do të vendoset në hapësira të frekuentuara nga studentët brenda Universitetit.

Takimi ishte i hapur për bashkëbisedim me të pranishmit, të cilët kishin mundësin e parashtrimit të pyetjeve dhe hapjes së diskutimeve të ndryshme.
Vizita e ekipit të AKA-së u mirëprit me interes të veçantë nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, si një mundësi për të rritur vetëdijesimin institucional rreth rëndësisë së rregullores së re dhe për të përforcuar përgatitjet për zbatimin e kërkesave të saj, me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të institucionit.

Përfaqësuesit e Agjencisë shprehën gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me Universitetin në çdo paqartësi që mund të lindë gjatë implementimit të rregullores.
Bashkëpunime të tilla kontribuojnë në rritjen e kulturës së cilësisë dhe vetëdijesimit të stafit të Univeristetit tonë, duke forcuar angazhimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë për arritjen e standardeve më të larta të cilësisë në arsimin e lartë
 

Fotot e lajmit

tp-bottom