Fakulteti i Edukimit organizon punëtori me nxënës të shkollave të mesme mbi orientimin në karrierë
Fakulteti i Edukimit nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakvë në kuadër të aktiviteteve për kontribut në shoqëri, ka organizuar sot një punëtori informuese dhe praktike me nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, me temë “Orientimi në Karrierë dhe Planifikimi i së Ardhmes Profesionale”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të mbështesë të rinjtë në procesin e zgjedhjes së drejtimit të duhur akademik dhe profesional, duke u ofruar udhëzime konkrete për hapat e parë drejt karrierës së tyre.
Gjatë ëorkshopit, pjesëmarrësit patën mundësinë të:
- njihen me profesionet dhe mundësitë që ofrohen pas arsimit të mesëm,
- kuptojnë rëndësinë e vetëvlerësimit, motivimit dhe aftësive personale në karrierë,
- marrin informacione praktike mbi orientimin profesional dhe tregun e punës,
- diskutojnë me profesorë, ekspertë dhe studentë të Fakultetit të Edukimit.
Në hapje të aktivitetit, përfaqësues tw Fakultetit të Edukimit theksuan rëndësinë e mbështetjes së të rinjve në fazën e vendimmarrjes për studimet dhe karrierën, duke nënvizuar se investimi në orientimin e hershëm profesional rrit shanset për zhvillim personal, akademik dhe ekonomik të të rinjve në vend.
Fakulteti i Edukimit I Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë do të vazhdojë të mbështesë aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen, duke forcuar bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe duke kontribuar në përgatitjen e gjeneratave me vizion të qartë profesional.