Mbahet trajnimi i organizuar nga Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë në bashkëpunim me OJQ Medika Kosova

Mbahet trajnimi i organizuar nga Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë në bashkëpunim me OJQ Medika Kosova

20 tetor 2025, në bashkëpunim me Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, OJQ Medika Kosova, me mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT/KRCT) – Prishtinë, organizoi trajnimin me temë “Qasja e informuar në traumë gjatë punës me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë”.

Ky trajnim u zhvillua me synimin për të edukuar dhe ndërgjegjësuar studentët e gjeneratave të reja mbi rëndësinë e njohjes së së kaluarës dhe mënyrat profesionale të qasjes ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale. Duke u mbështetur në parimet e qasjes së informuar në traumë, aktiviteti synoi të ndërtojë te të rinjtë ndjeshmëri, respekt dhe empati ndaj përvojave të vështira që kanë përjetuar shumë gra dhe burra gjatë luftës në Kosovë.

Përmes diskutimeve interaktive, shembujve praktikë dhe reflektimeve të udhëhequra nga profesionistë të fushës, pjesëmarrësit u angazhuan në një proces të thellë të kuptimit të ndikimeve që trauma lë në jetën e individit, si dhe të rëndësisë që ka mënyra e komunikimit dhe raportimit mediatik për të mos riprodhuar dhimbjen apo stigmatizimin e të mbijetuarave.

Trajnimi i dha studentëve hapësirë për të reflektuar mbi rolin që kanë në ndërtimin e një kulture kujtese dhe respekti, duke parë të kaluarën jo vetëm si pjesë e historisë, por si një përgjegjësi etike e brezave të rinj për ta trajtuar me dinjitet dhe ndjeshmëri.

Në fund të trajnimit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike, organizatave të shoqërisë civile dhe profesionistëve të rinj për të vazhduar promovimin e qasjeve të informuara në traumë, si pjesë e një angazhimi të përbashkët për drejtësi, shërim dhe kujtesë kolektive

Fotot e lajmit

tp-bottom