Mësimdhënia e Matematikës

Programi Master në Mësimdhënien e Matematikës është një program studimor, i cili ofron mundësi për zhvillim në karrierë, ngritje profesionale dhe realizim të kërkimeve në fushën e matematikës. Përmes thellimit të njohurive lidhur me teoritë inovative të mësimit, si dhe zbatimit të metodologjive dhe praktikave pedagogjike që janë dëshmuar të suksesshme gjatë procesit të mësimdhënies dhe të nxënit të matematikës, ky program synon përgatitjen e mësimdhënësve me standarde të larta profesionale, të gatshëm për t'iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës për mësimdhënës të kualifikuar të matematikës.

Zhvillimi profesional dhe i vazhdueshëm i mësimdhënësve të matematikës është proces shumë i rëndësishëm për shkollat e mesme të ulëta dhe të larta, të cilat janë të interesuara të rekrutojnë mësimdhënës të cilët janë të specializuar për të përshtatur mësimdhënien e matematikës nevojave dhe interesimeve të nxënësve, si dhe për të krijuar ambiente motivuese që mbështesin zhvillimin e potencialit të tyre në këtë lëndë. Rezultatet e ulëta në matematikë të nxënësve në programet ndërkombëtare të vlerësimit si TIMSS dhe PISA ka shtuar nevojën e shkollave të mesme të ulëta dhe të larta për të pasur mësimdhënës cilësor të matematikës, të cilët kanë njohuri për zhvillimet e fundit në shkencën e edukimit matematikor, si dhe të modeleve e platformave efektive të mësimdhënies që iu mundësojnë nxënësve arritjen e rezultateve sa më të larta në këtë lëndë.

Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 05/2021, mësimdhënësit e matematikës të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta duhet të kenë të paktën 300 ECTS kredi për të ushtruar profesionin e tyre në shkolla. Meqë programet e studimeve themelore (Bachelor) në fushën e matematikës janë 4-vjeçare me 240 ECTS kredi, atëherë ekziston nevoja e mësimdhënësve që janë në shërbim, si dhe e studentëve që diplomojnë në programet themelore që të vazhdojnë studimet master të paktën edhe për 1 vit. Programi Master në Mësimdhënia e Matematikës është program studimor 1-vjeçar i disejnuar për t’iu ofruar mësimdhënësve që janë në shërbim qëndrueshmërinë e tyre në profesion, ndërsa studentëve që kanë përfunduar studimet themelore dhe kanë dëshirë të jenë mësimdhënës të matematikës që të arrijnë kualifikimin përkatës për këtë profesion.

Në përgjithësi, programi Master në Mësimdhënia e Matematikës është një investim në zhvillimin e vazhduar profesional të mësimdhënësve, që synon përgatitjen e tyre si qytetarë që mësojnë gjatë gjithë jetës. Gjithashtu, programi ka për qëllim të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit përmes përgatitjes së një brezi të ri të mësimdhënësve, që do të jenë të aftë të udhëheqin dhe të zhvillojnë mësimdhënien në nivel të avancuar, duke përdorur teknologjitë, platformat dixhitale dhe risitë metodologjike të fushës së arsimit.

Programi Master në Mësimdhënia e Matematikës përgatitë studentët që të:

  • Njohin teoritë inovative të mësimit dhe zhvillimit të kurrikulës, si dhe metodologjitë dhe praktikat pedagogjike që janë dëshmuar të suksesshme gjatë procesit të mësimdhënies dhe të nxënit të matematikës;
  • Organizojnë mësimdhënien të bazuar në tri shtyllat kryesore të mësimdhënies efektive të matematikës, si: në zhvillimin kognitiv të nxënësve, në mbështetjen e tyre për të arritur potencialin e plotë në matematikë, si dhe në menaxhimin efektiv të klasës;
  • Zbatojnë njohuritë teorike dhe metodat e reja të bazuara në hulumtime për mësimdhënien e algjebrës dhe gjeometrisë, të cilat mundësojnë arritjen e rezultateve të nxënit dhe zhvillimin e kompetencave të nxënësve;
  • Aplikojnë metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit, të cilat mundësojnë lidhjen longitudinale dhe të qëndrueshme të të nxënit të koncepteve matematikore sipas një spiraleje zhvillimore, që nis nga konceptet konkrete dhe zhvillohet në nocione më komplekse dhe abstrakte;
  • Zbatojnë strategji dhe teknika të ndryshme të mësimdhënies dhe të nxënit të cilat inkurajojnë kreativitetin, të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve;
  • Analizojnë lidhjen ndërmjet fushave të ndryshme matematikore, si dhe zbatimin e njohurive në zgjidhjen e problemeve të jetës reale;
  • Integrojnë në procesin mësimor përdorimin e mjeteve multimediale dhe të lojërave digjitale për të lehtësuar të nxënit e koncepteve dhe procedurave matematikore nga ana e nxënësve;
  • Realizojnë mësimdhënien e diferencuar në klasë që iu mundëson përparimin e plotë të nxënësve të talentuar në matematikë dhe mbështetjen e atyre që kanë vështirësi në të nxënit e saj;
  • Planifikojnë vlerësim objektiv të nxënësve duke zbatuar lloje dhe instrumente të ndryshme të vlerësimit formativ dhe përmbledhës;
  • Realizojnë projekte kërkimore për mësimdhënien dhe të nxënit e matematikës duke u bazuar në metoda të ndryshme të hulumtimit;
  • Fitojnë aftësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe mësim gjatë gjithë jetës.
tp-bottom