U mbajt sesioni informues për eTwinning në Fakultetin e Edukimit
Më 6 nëntor 2025, në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë – Fakultetin e Edukimit, u mbajt sesioni informues për platformën evropiane të edukimit shkollor (ESEP) dhe eTwinning, i organizuar nga Zyra Kombëtare Mbështetëse për eTwinning.
Qëllimi i këtij sesioni ishte informimi i studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Edukimit mbi mundësitë që ofron platforma eTwinning për bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore, shkëmbim përvojash dhe zhvillim profesional.
Në hapje të sesionit mori fjalën Prodekania e Fakultetit të Edukimit, prof. asoc. dr. Edita Haxhijaha, e cila përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e nismave të tilla që ndihmojnë në fuqizimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional të studentëve dhe mësimdhënësve.
Sesioni informues u mbajt nga z. Genc Pilingjurka, Zyrtar Kombëtar i projektit në Zyrën Kombëtare për eTwinning, i cili prezantoi:
• procesin e regjistrimit në platformën eTwinning dhe ESEP,
• projektet dhe praktikat e mira të eTwinning,
• çmimet evropiane për projektet më të suksesshme,
• si dhe mundësitë për përfshirje të ardhshme të studentëve dhe mësimdhënësve në këto iniciativa.
Në aktivitet morën pjesë studentët e programeve Edukimi Fillor dhe Edukimi Parashkollor, ndërsa të pranishëm ishin edhe Udhëheqësi i programit të Edukimit Fillor, prof. asoc. dr. Ruzhdi Kadrija, dhe Udhëheqësja e programit të Edukimit Parashkollor, prof. ass. MSc. Mimoza Kurshumlia.
Ky sesion përbën një hap të rëndësishëm në promovimin e inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit profesional në kuadër të Fakultetit të Edukimit.