
Mobilitet Erasmus+ në Universitetin “Aldo Moro” Bari, Itali
Në kuadër të programit Erasmus+ (COMMO VIII), ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, znj. Nita Sina Pruthi, së bashku me Zyrtarin Ligjor, z. Arianit Kupa, zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin “Aldo Moro” të Barit, Itali.
Gjatë qëndrimit në Bari, përfaqësuesit e Universitetit tonë u mirëpritën ngrohtësisht nga stafi i Drejtorisë së Përgjithshme dhe patën nderin të takohen me Drejtorin e Përgjithshëm, avv. Gaetano Prudente. Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme që lidhen me strukturën organizative të universitetit, menaxhimin efikas të administratës, transparencën institucionale, digjitalizimin e proceseve dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive akademike e administrative.
Vizita shërbeu si një mundësi e vlefshme për shkëmbim përvojash dhe praktika të mira ndërmjet dy universiteteve. U.d. Sekretarja e Përgjithshme dhe Zyrtari Ligjor patën rastin të njihen nga afër me funksionimin e sistemit administrativ dhe strukturave organizative të Universitetit të Barit, duke vlerësuar nivelin e lartë të profesionalizmit dhe përkushtimit të stafit të tij.
Ky mobilitet pasuron përvojat ndërkombëtare të stafit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe kontribuon në forcimin e bashkëpunimit institucional me universitetet partnere në kuadër të programit Erasmus+. Përvoja e fituar do të shërbejë për të avancuar më tej proceset e zhvillimit profesional, modernizimit administrativ dhe ndërkombëtarizimit të universitetit tonë.
Të dy universitetet shprehën gatishmëri për të thelluar bashkëpunimin në fushat e administrimit universitar, digjitalizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve institucionale.