
UFAGJ dhe UIBM nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi
Gjakovë, 2 maj 2025
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) kanë zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën akademike dhe shkencore. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku dhe Rektorja e UIBM-së, Prof. Dr. Nurten Deva, në ambientet e UFAGJ-së në Gjakovë.
Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përmes shkëmbimeve të stafit akademik dhe studentëve, zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimit të konferencave dhe seminareve, si dhe promovimit të programeve të përbashkëta studimore dhe hulumtuese.
Përmes këtij bashkëpunimi, të dy universitetet zotohen të krijojnë kushte për shkëmbime akademike të qëndrueshme dhe për të rritur cilësinë në arsim dhe kërkim shkencor. Po ashtu, do të ndërmerren aktivitete të përbashkëta në funksion të zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Kosovë.
Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit mes universiteteve publike në vend dhe avancimit të kapaciteteve akademike. Ndërsa, Rektorja e UIBM-së, Prof. Dr. Nurten Deva, vlerësoi mundësitë që krijohen për studentët dhe stafin përmes kësaj marrëveshjeje, duke shprehur gatishmërinë për angazhim të plotë në realizimin e objektivave të përbashkëta.
Marrëveshja do të mbetet në fuqi për një periudhë trevjeçare dhe pritet të shërbejë si një platformë konkrete për bashkëpunime të frytshme në të ardhmen.