
Ekspozita Krijuese e Studentëve të Fakultetit të Edukimit – Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”
Më datë 28 maj 2025, në hapësirat e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, u zhvillua një ekspozitë kolektive e studentëve të vitit të tretë nga programi studimor Parashkollor, në kuadër të lëndës “Punë dore me modelim”. Kjo ngjarje artistike dhe pedagogjike u konceptua si një platformë për të evidentuar kapacitetet krijuese të studentëve dhe për të theksuar funksionin thelbësor të artit në formësimin e edukimit të hershëm.
Punimet e paraqitura përfaqësonin një ndërthurje të mendimit kritik pedagogjik dhe të shprehjes estetike, duke reflektuar potencialin e artit si medium edukativ dhe si mjet për zhvillimin emocional dhe kognitiv të fëmijëve. Në realizimin e tyre u përdorën materiale të ndryshme si letër, plastikë, dru dhe pambuk, ndërkohë që tematika varionte nga figurat ikonike të filmave të animuar, cikli i stinëve dhe simbolika kulturore (si Newborn-i), forma teatrore si teatri i kukullave, përfshirë edhe tema të lira të konceptuara nga vetë studentët.
Ekspozita u organizua nga Prof. Mimoza Kurshumlia, e cila ka udhëhequr studentët në këtë proces të thellë krijimtarie dhe reflektimi pedagogjik. Ky aktivitet vë në pah domosdoshmërinë e përfshirjes së përvojave praktike dhe krijuese në formimin profesional të edukatoreve, duke kontribuar në ndërtimin e aftësive të tyre për të projektuar dhe implementuar mjedise të pasura, stimuluese dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët e moshës parashkollore.