eTwinning

Platforma Evropiane e Edukimit Shkollor dhe eTwinning

Çfarë është Platforma Evropiane e Edukimit Shkollor dhe pse është e rëndësishme për studentët dhe profesorët e Fakultetit të Edukimit?

Platforma Evropiane e Edukimit Shkollor është një mjedis modern online që bashkon komunitetin më të madh evropian të mësimdhënësve dhe profesionistëve të arsimit. Ajo shërben si pikë takimi për edukatorë që punojnë në institucionet e edukimit të hershëm, shkollat fillore dhe të mesme, shkollat profesionale, si dhe në fakultetet që përgatisin mësimdhënësit e ardhshëm.
Platforma është falas dhe ofron qasje në mjete, trajnime, mundësi për pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare dhe komunitete profesionale. Në të është e integruar edhe eTwinning, komuniteti më i madh online i shkollave në Evropë.

Linku i Platformës Evropiane të Edukimit Shkollor:
https://school-education.ec.europa.eu/en


Çfarë është eTwinning?

eTwinning është një komunitet profesional dhe hapësirë bashkëpunimi ku mësimdhënësit, nxënësit dhe shkollat punojnë së bashku për të zhvilluar projekte kreative dhe ndërkulturore me partnerë nga Evropa dhe më gjerë.
Përmes eTwinning, përdoruesit mund të:

  • bashkëpunojnë në projekte reale të mësimdhënies të orientuara në zgjidhjen e problemeve;

  • shkëmbejnë ide dhe praktika inovative në mjedise të sigurta online;

  • marrin pjesë në grupe dhe komunitete profesionale;

  • zhvillojnë kompetencat digjitale, gjuhësore dhe profesionale.


eTwinning promovon mësimdhënien e bazuar në projekte, kreativitetin, qytetarinë dixhitale dhe këmbimin kulturor, dhe sot është i shtrirë në 46 shtete në botë.

Linku i platformës eTwinning:
https://school-education.ec.europa.eu/en/etwinning

Që nga janari 2024, Kosova i është bashkuar zyrtarisht komunitetit evropian të eTwinning. Projekti në Kosovë bashkë-financohet nga:

  • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, dhe

  • Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+,

ndërsa zbatohet nga Zyra Erasmus+ në Kosovë përmes Zyres Kombëtare Mbështetëse për eTwinning.

Përfshirja e Kosovës në eTwinning i hap dyer të reja shkëmbimit ndërkombëtar dhe përfaqëson një mundësi të re zhvillimi për mësimdhënës, studentët dhe institucionet edukative të vendit.

 

Pse eTwinning është veçanërisht i rëndësishëm për fakultetet që përgatisin mësimdhënës?

Pjesëmarrja në eTwinning u ofron studentëve të Fakultetit të Edukimit mundësinë që:

  • të përjetojnë në praktikë mësimdhënien moderne të bazuar në projekte;

  • të punojnë në mënyrë ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese me shkolla dhe studentë nga vende të ndryshme;

  • të zhvillojnë aftësitë gjuhësore dhe digjitale të kërkuara në mësimdhënien e shekullit XXI;

  • të fitojnë përvoja ndërkombëtare dhe të ndërkulturore pa pasur nevojë të udhëtojnë;

  • të rrisin kompetencat profesionale në menaxhimin e projekteve, punën ekipore, pedagogjike, etj.


Çmimi Evropian eTwinning për Institucionet e Edukimit të Mësimdhënësve të Ardhshëm

Për të vlerësuar punën e institucioneve më aktive në këtë fushë, në vitin 2022 u themelua Çmimi Evropian eTwinning për Institucionet e Edukimit të Mësimdhënësve të Ardhshëm.

Ky çmim synon të identifikojë dhe promovojë institucionet-fakultetet që:

  • integrojnë eTwinning në planprogramin e studimit;

  • zbatojnë projekte me cilësi të lartë dhe me ndikim real;

  • realizojnë kërkime ose analiza shkencore të lidhura me mësimdhënien digjitale dhe bashkëpunuese.

Ky vlerësim evropian shërben si motivim dhe si mundësi për fakultetet të njohin dhe të promovojnë rolin e tyre në modernizimin e arsimit dhe zhvillimin e mësimdhënësve të rinj.


Njoftime:

Konferenca Evropiane për arsimimin e mësimdhënësve të ardhshëm viti 2025

tp-bottom