Përfaqësues të Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë morën pjesë në shënimin e Ditës së Drinit 2026
Përfaqësues të Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë ne datë 10 korrik 2026 morën pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës së Drinit 2026, një ngjarje e rëndësishme kushtuar mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të Pellgut të Lumit Drini i Bardhë organizuar nga OJQ “Rilindja e Gjelbër” nga Peja.
Universiteti u përfaqësua nga zyrtari i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bujar Nura, Kryetari i Parlamentit Studentor, Besmir Pepshi, si dhe një grup studentësh nga fakultete të ndryshme, të cilët patën mundësinë të ndjekin diskutimet dhe të kontribuojnë në shkëmbimin e ideve mbi çështjet mjedisore.
Tema qendrore e këtij viti ishte thatësira, ndikimet e saj në Pellgun e Lumit Drini i Bardhë, reagimet e komunitetit, si dhe strategjitë për rritjen dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, akademisë, partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar gjetjet kryesore të raportit "Përmbledhja e Perceptimeve të Qytetarëve mbi Pellgun e Lumit Drini i Bardhë" dhe për të identifikuar prioritetet për qeverisjen e qëndrueshme të burimeve ujore përmes një paneli të diskutimit.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë dëshmon angazhimin e institucionit për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen aktive të studentëve në nisma që trajtojnë sfidat mjedisore dhe klimatike.
Universiteti mbetet i përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat partnere, duke krijuar mundësi që studentët dhe stafi të jenë pjesë e proceseve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.