UFAGJ dhe IMP Parts bashkojnë forcat për zhvillimin e inxhinierëve të rinj – hap i ri drejt arsimit praktik dhe inovacionit

UFAGJ dhe IMP Parts bashkojnë forcat për zhvillimin e inxhinierëve të rinj – hap i ri drejt arsimit praktik dhe inovacionit

Gjakovë, 24.03.2026

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe kompania IMP Parts, Machinery Product kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi, duke hapur një kapitull të ri në fuqizimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe industrisë prodhuese në vend.

Marrëveshja u formalizua në prezencë të bashkëpronarit dhe shefit të zhvillimit, z. Albert Mushkolaj, nga Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, dhe CEO i IMP Parts, z. Valdrin Nikaj, me synimin për të krijuar mundësi konkrete për zhvillimin profesional të studentëve dhe avancimin e inovacionit të aplikuar.

Ky partneritet strategjik synon të sjellë një qasje moderne të mësimdhënies, duke e orientuar procesin arsimor drejt praktikës dhe kërkesave reale të tregut të punës. Studentët do të kenë mundësi të përfitojnë përvojë të drejtpërdrejtë në mjedise industriale të avancuara, duke punuar me teknologji bashkëkohore si robotika industriale, sistemet CNC dhe automatizimi i proceseve prodhuese .

Në veçanti, studentët e programit Informatikë Inxhinierike do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky bashkëpunim. Falë kësaj marrëveshjeje, stafit akademik dhe studentëve të këtij programi u mundësohet shfrytëzimi i të gjitha laboratorëve industrialë prodhues të kompanisë, në kuadër të lëndëve që lidhen drejtpërdrejt me industrinë dhe për të cilat Fakulteti i Shkencave të Aplikuara nuk disponon infrastrukturë të plotë laboratorike. Ky bashkëpunim mundëson realizimin efektiv të komponentës praktike të planit mësimor të paraparë me kurrikulë, duke garantuar arritjen maksimale të rezultateve mësimore dhe objektivave të programit.

Me këtë rast, Rektori Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku falënderoi CEO-n dhe pronarët e kompanisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj universitetit dhe për kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e komunitetit. Ndërsa CEO i kompanisë, Z. Valdrin Nikaj, theksoi përkushtimin e IMP Parts për të mbështetur në mënyrë të vazhdueshme UFAGJ-në dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, me synimin për përgatitjen e kuadrove të reja profesionale që do të jenë pionierë të këtij programi.
 

Marrëveshja e bashkëpunimit

Fotot e lajmit

tp-bottom