Ligjëratë e hapur në Fakultetin e Edukimit në nder të datave 5, 6, 7 dhe 8 Mars

Ligjëratë e hapur në Fakultetin e Edukimit në nder të datave 5, 6, 7 dhe 8 Mars

Studentët e Fakultetit të Edukimit organizuan një ligjëratë të hapur në nder të datave të rëndësishme historike dhe shoqërore të muajit mars – 5, 6, 7 dhe 8 Marsit. Ky aktivitet u realizua me qëllim të kujtimit dhe vlerësimit të ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë, si dhe për të theksuar rolin e arsimit, sakrificës dhe kontributin e gruas në shoqëri.

Aktiviteti u hap me një fjalë përshëndetëse nga Prodekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Edita Haxhijaha, e cila theksoi rëndësinë që këto data kanë për kujtesën historike dhe për rolin e arsimit në formimin e brezave të rinj. Ajo nënvizoi se fakulteti ka për mision përgatitjen e mësuesve të së ardhmes dhe kultivimin e vlerave njerëzore tek studentët, duke theksuar se investimi më i madh për një të ardhme të ndritur është arsimi.

Në këtë ligjëratë morën pjesë paneliste të shquara, të cilat ndanë me studentët përvojat dhe reflektimet e tyre mbi rëndësinë e këtyre datave. Të pranishme në panel ishin: Znj. Sala Jashari, Znj. Pranvera Xharra Ballata, Znj. Shkëndije Bokshi Nagavci dhe Znj. Sindorela Doli Kryeziu.

Gjatë diskutimit u trajtuan tema që lidhen me Epopenë e UÇK-së (5, 6 dhe 7 Mars), Ditën e Mësuesit – 7 Marsin, si dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar rëndësinë e sakrificës, dijes dhe rolit të gruas në zhvillimin e shoqërisë dhe në edukimin e brezave të rinj.

Programi u pasurua edhe me interpretime artistike të përgatitura nga studentët e Fakultetit të Edukimit. Në përmbyllje të aktivitetit, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre, panelisteve iu ndanë mirënjohje nga organizatorët.

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë përkushtimin e studentëve të Fakultetit të Edukimit për të promovuar vlera edukative, kulturore dhe shoqërore brenda komunitetit universitar.

Fotot e lajmit

tp-bottom