Zhvillohet takim koordinues për akreditimin e programeve të reja dhe sigurimin e cilësisë në Fakultetin e Edukimit

Zhvillohet takim koordinues për akreditimin e programeve të reja dhe sigurimin e cilësisë në Fakultetin e Edukimit

Në kuadër të përgatitjeve për procesin e akreditimit të programeve të reja të studimit, më 14.04.2026 u zhvillua një takim koordinues ndërmjet Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, menaxhmentit të Fakultetit të Edukimit dhe Komisionit për Sigurimin e Cilësisë në nivel fakulteti.

Në takim morën pjesë:

Prof. Dr. Ilmi Hoxha, Dekan i Fakultetit të Edukimit;

Prof. Asoc. Dr. Edita Haxhijaha, Prodekane e Fakultetit të Edukimit;

Ass. Emirejeta Kumnova, Koordinatore e Komisionit për Sigurimin e Cilësisë në Fakultet;

Prof. Asoc. Dr. Ruzhdi Kadrija, Anëtar i Komisionit për Sigurimin e Cilësisë;

Elinda Rexha Pruthi, Anëtare e Komisionit për Sigurimin e Cilësisë;

Qëndresa Bardhoshi, U.d. Udhëheqëse e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë në UFAGJ.

Qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi i hapave të nevojshëm në procesin e aplikimit për akreditimin e programeve të reja të studimit, si dhe njoftimi lidhur me veprimet që Fakulteti i Edukimit po ndërmerr në këtë drejtim.

Dekani prezantoi rezultatet e hulumtimit të tregut për programet e reja në fushën e edukimit, duke theksuar orientimin e Fakultetit drejt zhvillimit të programeve që janë në përputhje me kërkesat e punëdhënësve, trendet bashkëkohore të arsimit dhe standardet e sigurimit të cilësisë. Synimi mbetet që këto programe të jenë relevante, të qëndrueshme dhe atraktive për studentët.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së programeve studimore përmes mekanizmave të brendshëm të vlerësimit, përfshirë zgjerimin e instrumenteve monitoruese dhe hartimin e raporteve mbi treguesit e performancës.

Udhëheqësja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë ritheksoi udhëzimet dhe hapat që duhet ndjekur deri në aplikimin për programe të reja, si dhe standardet e përcaktuara të sigurimit të cilësisë në përputhje me rregulloret në fuqi. Gjithashtu u theksua rëndësia e përfshirjes aktive të Komisionit për Sigurimin e Cilësisë në të gjitha fazat e procesit, si dhe roli i tij në garantimin e standardeve të cilësisë akademike.

Përfaqësuesit e Fakultetit të Edukimit u zotuan se do të vazhdojnë punën intensive dhe do të ndjekin të gjitha procedurat në përputhje me Rregulloren për Sigurimin e Cilësisë dhe Vlerësimin e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, si dhe Rregulloren (AKA) nr. 04/2024 për Manualin e Akreditimit/Rriakreditimit dhe Validimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit në nivel bachelor dhe master.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të proceseve të sigurimit të cilësisë dhe përgatitjes së suksesshme për akreditimin e programeve të reja të studimit.

tp-bottom