Trajnim mbi Komunikimin e Qasshëm me studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë
Më 17 prill 2025, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Caritas Kosova dhe Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, u mbajt trajnimi me temën “Komunikimi i Qasshëm”, organizuar në kuadër të projektit ACTIVE 2 – “Komunikimi i qasshëm drejt përfshirjes së personave të cenueshëm dhe të përjashtuar në Ballkanin Perëndimor”.
Trajnimi u zhvillua me pjesëmarrjen aktive të studentëve të Fakultetit të Edukimit, nga programet Fillor dhe Parashkollor. Gjatë trajnimit, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me konceptet bazë, parimet dhe standardet e Gjuhës së Lehtë dhe të Qasshme, si dhe me rëndësinë e Leximit të Lehtë për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në shoqëri.
Përveç pjesës teorike, trajnimi përfshiu edhe ushtrime praktike, ku studentët punuan në grupe për të thjeshtuar tekste ekzistuese dhe për të krijuar materiale të qasshme për persona me aftësi të kufizuara dhe nevoja të ndryshme në komunikim. Kjo përvojë i ndihmoi ata të zhvillojnë aftësi profesionale për një komunikim më të barabartë, të qartë dhe gjithëpërfshirës.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt edukimit të brezave të rinj për rëndësinë e komunikimit të qasshëm dhe është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për një arsimim më gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj diversitetit.
Fakulteti i Edukimit falënderon Caritas Kosova për organizimin e këtij trajnimi me vlerë dhe për kontributin e vazhdueshëm në fuqizimin profesional dhe njerëzor të studentëve tanë.