Punëtori mbi strategjitë për menaxhimin efektiv në mjediset e edukimit parashkollor

Punëtori mbi strategjitë për menaxhimin efektiv në mjediset e edukimit parashkollor

Të premten, më 28 shkurt 2025, në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë u organizua punëtoria me temën “Strategji për menaxhimin efektiv në mjediset e edukimit parashkollor”. Kjo punëtori u realizua nga studentet e programit të edukimit parashkollor, Erza Thaqi dhe Adena Muqa, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Edita Haxhijaha.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit TAKE (Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector), i mbështetur nga Caritasi Zviceran (CACH) dhe i implementuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, me përfshirjen e të gjitha fakulteteve të edukimit në universitetet publike.

Qëllimi i punëtorisë ishte zhvillimi i strategjive për menaxhimin efektiv të mjedisit edukativ, duke u fokusuar në:

  • Përmirësimin e komunikimit efektiv përmes dëgjimit aktiv;
  • Aftësimin e edukatorëve dhe fëmijëve për menaxhimin e emocioneve, duke krijuar një mjedis të qetë dhe mbështetës;
  • Vendosjen dhe zbatimin e rregullave të qarta për disiplinë dhe respekt të ndërsjellë;
  • Forcimin e bashkëpunimit mes edukatorëve dhe fëmijëve, si dhe krijimin e urave efektive të komunikimit me prindërit;
  • Përdorimin e strategjive pozitive për menaxhimin e sjelljes dhe parandalimin e konflikteve;
  • Ndërtimin e një mjedisi përfshirës, ku çdo fëmijë ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të mësuar;
  • Promovimin e punës në grup për zhvillimin e aftësive sociale dhe bashkëpunuese.

Gjatë punëtorisë, edukatoret ndanë sfidat dhe përvojat e tyre të përditshme në menaxhimin e mjedisit edukativ. Diskutimet u përqendruan në strategji praktike për përmirësimin e ndërveprimit me fëmijët dhe krijimin e një ambienti të sigurt e motivues për të nxënit.

Ky aktivitet ofroi një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, duke ndihmuar pjesëmarrëset të fitojnë njohuri mbi rëndësinë e komunikimit pozitiv, përdorimin e metodave për motivimin e fëmijëve dhe forcimin e bashkëpunimit mes edukatorëve dhe studenteve të Fakultetit të Edukimit.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom