Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. z. Petrit Malaj, vizitoi UFAGJ

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. z. Petrit Malaj, vizitoi UFAGJ

Gjakovë, 18.09.2026

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpriti në vizitë Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. z. Petrit Malaj.

Ambasadori Malaj u prit nga Rektori i UFAGJ-së, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me Prorektoren Prof. Dr. Sindorela Doli, Prorektorin Prof. Ass. Dr. Petrit Duraj dhe U.D. Sekretaren e Përgjithshme, znj. Nita Pruthi.

Rektori Bunjaku i uroi mirëseardhje Ambasadorit Malaj në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe e informoi atë lidhur me zhvillimet e fundit në Universitet, prioritetet institucionale, programet e studimit dhe synimet për zhvillimin e mëtejmë akademik e institucional.

Në kuadër të takimit, Rektori Bunjaku prezantoi edhe studentët nga Republika e Shqipërisë, Arnis Kuçana, Kledjon Memia, Fatlin Memia dhe Robert Metaliaj, të cilët studiojnë në programin Informatikë Inxhinierike, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Aplikative, duke vënë në pah lidhjen tradicionale të UFAGJ-së me studentët nga veriu i Republikës së Shqipërisë dhe Malësia e Gjakovës. Aktualisht në këtë program përbëjnë 13% të numrit të përgjithshëm të studentëve.

Diskutimi u përqendrua në kontributin shumëvjeçar që institucionet e Gjakovës kanë dhënë për banorët e këtyre trevave. Në këtë kuadër u theksua veçanërisht kontributi i Spitalit Rajonal të Gjakovës në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e Tropojës dhe Hasit, si dhe kontributi i vazhdueshëm i Universitetit “Fehmi Agani” në arsimimin e studentëve nga këto treva veriore shqiptare ndër vite.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua thellimit të bashkëpunimit ndërmjet UFAGJ-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, fuqizimit të rolit të universiteteve në zhvillimin e rajonit të Rrafshit të Dukagjinit, si dhe zhvillimit dhe ofrimit të programeve të studimit që u përgjigjen nevojave të tregut të punës dhe zhvillimeve bashkëkohore shoqërore, ekonomike dhe teknologjike.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. z. Petrit Malaj, shprehu gatishmërinë për të mbështetur Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, në avancimin e bashkëpunimit me universitetet në Republikën e Shqipërisë, me theks të veçantë në integrimin dhe bashkëpunimin ndërmjet programeve akademike në fushën e shëndetësisë.

Palët u pajtuan për rëndësinë e avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit institucional, krijimit të urave të reja të bashkëpunimit akademik dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që do të kontribuojnë në arsimimin e të rinjve, zhvillimin rajonal dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Article Gallery