Takim konsultativ për vlerësimin e nevojave të programit Master “Komunikimi në Edukimin Bashkëkohor”
Më 24.06.2026, në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave për aplikimin me programin e ri Master “Komunikimi në Edukimin Bashkëkohor”, me ftesë të Dekanit të Fakultetit të Edukimit, kryesuesja e Bordit Këshillëdhënës për Ndërmarrësi në Fakultetin e Edukimit, Msc. Yllka Juniku Shehu, thirri në takim konsultativ anëtarët e Bordit Këshilldhënës për ndërmarrësi.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi për rëndësinë dhe nevojën e këtij programi për sistemin arsimor, marrja e mendimeve dhe rekomandimeve e të pranishmëve, si kontribut në procesin e aplikimit dhe studimit të fizibilitetit për këtë program. Në takim morrën pjesë edhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta për të diskutuar programin e propozuar të Masterit: Komunikimi në Edukimin Bashkëkohor. Ky takim ofroi një mundësi për të identifikuar kompetencat e lidhura me komunikimin në mjediset bashkëkohore arsimore dhe për të siguruar që programi të jetë në përputhje me nevojat e shkollave dhe sistemit arsimor. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë në rritje të komunikimit efektiv ndërpersonal, komunikimit dixhital, bashkëpunimit me prindërit dhe komunitetin e gjerë, zgjidhjes së konflikteve, komunikimit ndërkulturor dhe integrimit të teknologjive moderne në praktikën arsimore. Anëtarët e Bordit Këshillëdhënës dhe drejtorët e shkollave shprehën mbështetje të fortë për krijimin e programit, duke theksuar potencialin e tij për të forcuar kapacitetet profesionale të mësuesve dhe udhëheqësve arsimorë, për të përmirësuar komunikimin brenda institucioneve arsimore dhe për të kontribuar në cilësinë dhe efektivitetin e përgjithshëm të mësimdhënies, të nxënit dhe menaxhimit të shkollës.
Unanimisht, u pajtuan me zhvillimin e këtij programi, pasiqë Komunikimi efektiv është bërë një nga kompetencat më thelbësore për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave. Një program master dedikuar komunikimit në edukimin bashkëkohor do të përgatisë mësimdhënësit profesionistë dhe udhëheqësit arsimor për të përballuar sfidat e shkollave të sotme. Ata u pajtuan se mësuesit që do të diplomojnë në këtë program pritet jo vetëm të japin mësim, por edhe të komunikojnë në mënyrë efektive me nxënësit, prindërit, kolegët dhe komunitetin e gjerë. Ky program adreson një nevojë të vërtetë profesionale.
Duke pas parasysh që integrimi i teknologjive dixhitale ka transformuar komunikimin në arsim, të diplomuarit e këtij programi do të pajisen më mirë me njohuri për të përdorur mjetet e komunikimit dixhital në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive, u tha ndër tjerash në këtë takim.