Universiteti “Fehmi Agani” merr pjesë në “Samitin e Universiteteve të Evropës” në Bremen të Gjermanisë

Universiteti “Fehmi Agani” merr pjesë në “Samitin e Universiteteve të Evropës” në Bremen të Gjermanisë

Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë, i udhëhequr nga Rektori Drilon Bunjaku dhe Pro-rektorja për Bashkëpunime Ndërkombëtare dhe Projekte Nazli Tyfekçi, kanë marrur pjesë në Samitin prestigjioz të Universiteteve të Evropës, që është mbajtur në Bremen, Gjermani. Ky Samit u organizuar nga Times Higher Education në partneritet me Universitetin Contractor, me temën “Ndërtimi i së ardhmes: Partneritetet për ndikim.’’

Kjo pjesëmarrje e rëndësishme shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit, ngaqë përfshin lidhjen e liderëve të mendimit global në akademi, industri, dhe në shoqërinë civile, për t’i diskutuar partneritetet për avancim shoqëror.

Samiti thekson rolin kyç të Universiteteve në formësimin e të ardhmes përmes bashkëpunimeve dhe partneriteteve. Duke i harmonizuar përpjekjet, burimet dhe ekspertizën, institucionet akademike mund të gjenerojnë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për shoqërinë, brenda Evropës dhe më gjerë.

Në Samit u diskutuan një varg temash të larmishme, duke përfshirë partneritetet mes universiteteve dhe industrisë, brenda sektorit të Arsimit të Lartë, dhe me shoqërinë civile. Prezantime të rëndësishme janë dhënë nga personalitete të shquara nga akademia dhe industria në fjalë, duke përfshirë laureatë të çmimit Nobel dhe përfaqësues nga Universitetet botërore të rangut më të lartë.

Temat kyçe të trajtuara në Samit përfshijnë krijimin e suksesit për universitetet e reja, transformimin e ekosistemeve inovative, dhe ndikimin e teknologjive në rritjen e ndërveprimeve universitet-industri, dhe rolin e aleancave të Universitetit Evropian në rritjen e bashkëpunimit.

Shtuar kësaj, diskutimet janë fokusuar në modele të reja të partneritetit në mes të industrisë dhe Universiteteve në trajnim dhe edukim, si dhe kryqëzimit të kulturës dhe teknologjisë në formësimin e së ardhmes së edukimit. UFAGJ-ja ka kontribuar në mënyrë aktive në këto diskutime, duke e shfrytëzuar ekspertizën dhe përvojën e vet në avancimin e njohurive kolektive lidhur me atë se si mund të nxisin partneritetet ndryshimin shoqëror.

Pas përfundimit të Samitit, njohuritë e fituara nga diskutimet e përvojave të përfaqësuesve të Universiteteve lidhur me temat kyçe, do të kontribuojnë jo vetëm në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, por poashtu, ato do të kontribuojnë edhe në dialogun e gjerë në rolin e Universitetit në formësimin e së ardhmes përmes partneriteteve strategjike.

Fotot e lajmit

tp-bottom