Mobiliteti i studentëve të UFAGj në Universitetin e Cyrrihut
Nga data 12-16 shkurt 2024, një grup prej 10 studentëve të Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës së bashku me Prof. Ass. Dr. Melinda Mula do të vijojnë pjesën e parë të kursit “Dimensionet e cilësisë së mësimdhënies në Zvicër dhe Kosovë” me theks të veçantë në mësimdhënien cilësore të lëndës së matematikës, që do të mbahet në Universitetin e Cyrrihut.
Ky mobilitet i profesorëve dhe studentëve realizohet si pjesë e projektit “Rrjeti i shkëmbimit të kolegëve të Fakulteteve të Edukimit” ("Peer Exchange Network in Teacher Education", shkurt PEER-Net). Synimi i këtij projekti është thellimi i shkëmbimit akademik ndërkombëtar dhe promovimi i kompetencave globale përmes organizimit të kurseve të ndërsjella që do të mbahen në universitete të ndryshme. Universiteti i Gjakovës është njëri ndër partnerët përfitues të këtij projekti ndërkombëtar, i cili financohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Arsimin, Kërkimin dhe Inovacionin (SERI) dhe implementohet nga Universiteti i Cyrrihut.
Pjesa e dytë e kursit do të mbahet nga 24-28 qershor 2024 në Gjakovë, ku Universiteti i Gjakovës do të jetë nikoqir i profesorëve dhe grupit të studentëve nga Universiteti i Cyrrihut.