Takimi i radhës i Bordit Këshillëdhënës për Ndërmarrësi u mbajt më 22.10.2025
Ashtu si në tre takimet e mëparshme, për shkak të rëndësisë së temave të diskutuara, në takim mori pjesë i gjithë stafi menaxhues i Fakultetit të Edukimit, si dhe disa nga bartësit e programit të Arsimit Fillor.
Ky takim u zhvillua në vazhdën e takimeve të mbajtura më 20.06.2025, 26.06.2025 dhe 14.07.2025, në të cilat u diskutua gjerësisht përgatitja e aplikimit për akreditimin e programeve të Fakultetit të Edukimit, me theks të veçantë në programin e Arsimit Fillor.
Bazuar në diskutimet e zhvilluara gjatë këtyre tre takimeve – përfshirë takimin me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, me studentët Alumni, si dhe me aktorë të tjerë të rëndësishëm në rajon – dhe duke u mbështetur në pyetësorët e realizuar në shkollat e mesme të rajonit të Gjakovës, është hartuar Raporti i Fizibilitetit për programin e Arsimit Fillor.
Në vijim, duke marrë parasysh sugjerimet dhe propozimet e dhëna – disa prej të cilave janë në përputhje me rekomandimet e ekspertëve – programi i Arsimit Fillor, për të cilin është bërë aplikimi për akreditim, ka pësuar disa përmirësime dhe përshtatje. Këto përfshijnë ndryshime në lëndët e praktikës pedagogjike, në numrin e orëve dhe krediteve, me qëllim të rritjes së cilësisë së përgatitjes profesionale të studentëve.
Gjithashtu, bazuar në propozimet e Bordit Këshillëdhënës për Ndërmarrësi, është formuar një grup pune për të rishikuar Udhëzuesin e Praktikës Pedagogjike për programin e Arsimit Fillor. Ky grup përbëhet nga profesorë që zhvillojnë lëndët e praktikës pedagogjike, drejtorë të shkollave të mesme të ulëta ku studentët kryejnë praktikën, mësimdhënës mentorë nga këto shkolla, si dhe koordinatori i praktikës pedagogjike në Fakultetin e Edukimit.
Takimi i fundit u përqendrua në finalizimin e hartimit të Raportit të Vetëvlerësimit (SER) për programin e Arsimit Fillor, i cili do të dorëzohet në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës (AAK) më 31.10.2025.