Nga teknologjia te përdorimi i përgjegjshëm - Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë trajnon stafin për Inteligjencën Artificiale
Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, organizoi trajnimin “Përdorimi Etik i Inteligjencës Artificiale Gjenerative në Arsimin e Lartë”, i cili u mbajt më 5 tetor 2026.
Trajnimi u dedikua stafit akademik dhe administrativ të Universitetit dhe u karakterizua nga interesim i lartë dhe pjesëmarrje aktive, duke dëshmuar rëndësinë dhe aktualitetin e temës së inteligjencës artificiale në mjedisin universitar.
Gjatë trajnimit u trajtuan tema praktike që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe administratë, ndër të cilat:
-
përdorimi i AI-së për përgatitjen e materialeve mësimore dhe mbështetjen e kërkimit shkencor;
-
formulimi i kërkesave (prompts) efektive për marrjen e rezultateve më të dobishme;
-
verifikimi i saktësisë, burimeve dhe besueshmërisë së përmbajtjeve të gjeneruara nga AI;
-
mbrojtja e të dhënave personale dhe institucionale gjatë përdorimit të platformave të AI-së;
-
përdorimi i përgjegjshëm i mjeteve si ChatGPT, Gemini dhe platformave të ngjashme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua integritetit akademik, privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, transparencës në përdorimin e AI-së dhe paragjykimeve algoritmike, si dhe dallimit ndërmjet përdorimeve të pranueshme dhe të papranueshme të inteligjencës artificiale në mësimdhënie, vlerësim dhe administratë.
Përmes ushtrimeve dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen drejtpërdrejt me mënyrat e përdorimit të mjeteve të AI-së dhe me parimet që duhet të udhëheqin përdorimin e tyre në kontekstin universitar.
Interesimi i madh i stafit dhe diskutimet e zhvilluara gjatë trajnimit dëshmuan nevojën për aktivitete të mëtejshme profesionale në fushën e inteligjencës artificiale, me synim që teknologjitë e reja të përdoren në mënyrë sa më efektive, etike dhe profesionale në funksion të cilësisë së mësimdhënies dhe të punës universitare.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin profesional të stafit dhe promovimin e përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive të reja, në përputhje me parimet e cilësisë, integritetit akademik, privatësisë dhe inovacionit në arsimin e lartë.