Mbahet sesioni informues për Grantet për Vullnetarizëm nga KCSF

Mbahet sesioni informues për Grantet për Vullnetarizëm nga KCSF

Gjakovë, 05/10/2026 

Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) u mbajt sesioni informativ me temë “Grante për Vullnetarizëm”, i organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM), përmes Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë.

Sesioni kishte për qëllim informimin e pjesëmarrësve rreth mundësive të ofruara përmes Skemës së Granteve për Vullnetarizëm, e cila synon të mbështesë nismat për aktivizëm qytetar dhe promovimin e vullnetarizmit në Kosovë.

Gjatë sesionit u prezantuan qëllimet e skemës së granteve, kriteret dhe mundësitë për aplikim, si dhe mënyrat përmes të cilave individët, iniciativat e paregjistruara dhe organizatat joqeveritare mund të zhvillojnë dhe zbatojnë iniciativa që adresojnë nevojat dhe çështjet e komunitetit.

Në kuadër të thirrjes, aplikantët mund të kërkojnë përkrahje për projekte me kohëzgjatje deri në 12 muaj, ndërsa shuma maksimale e grantit që mund të kërkohet është 5,000 euro.

Një pjesë e veçantë e sesionit iu kushtua edhe ndarjes së përvojave konkrete nga iniciativa vullnetare dhe ndikimi i tyre në komunitet. Ideal Zhaveli, anëtar i shoqërisë civile dhe Drejtor Ekzekutiv i organizatës ACTIVISM ROOTS, ndau me pjesëmarrësit përvojën e tij në zhvillimin e aktivizmit qytetar në nivel lokal, përvojat nga puna vullnetare, sfidat e hasura gjatë realizimit të iniciativave, si dhe ndikimin e tyre në komunitet.

Përmes këtij sesioni, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen më nga afër me mundësitë për përfshirje qytetare dhe me mënyrat e aplikimit për mbështetje financiare për iniciativa vullnetare.

Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë synon të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile përmes trajnimeve, mentorimit dhe këshillimit, shërbimeve të ndihmës teknike dhe ofrimit të informacionit për zhvillimin organizativ dhe qytetarinë aktive.

Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.

Për pyetje apo probleme lidhur me regjistrimin dhe aplikimin për grant, ndiq linkun ose të interesuarit mund të kontaktojnë Qendrën e Burimeve për Shoqëri Civile në adresën: [email protected].

 

Article Gallery