UFAGj mirëpret në vizitë zyrtare profesorët nga UCL Vejle i Danimarkës
Gjakovë, 30 Nëntor 2026
Me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të procesit të ndërkombëtarizimit, Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, ka pritur sot në vizitë zyrtare profesorët Kim Nørbygaard dhe Nora Elmatari nga UCL Vejle, Danimarkë.
Në takim morën pjesë Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Assoc. Dr. Kaltrina Kusari, Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Dr. Behxhet Gaxhiqi, Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Dr. Sindorela Doli Kryeziu, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Assoc. Dr. Ferdi Kamberi, si dhe sekretarja e përgjithshme e Universitetit, Nita Sina Pruhti.
Gjatë vizitës, profesorët nga Danimarka vizituan objektin e universitetit dhe Fakultetin e Shkencave Sociale, ku zhvilluan një bashkëbisedim me studentët rreth migrimit, rolit të punës sociale, praktikave profesionale dhe mundësive për shkëmbim të përvojave akademike.
Vizita është realizuar në kuadër të projektit EDU4MIGRATION, duke krijuar mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, zgjerimin e rrjeteve akademike dhe zhvillimin e mundësive të reja për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mbetet i përkushtuar në fuqizimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit, në funksion të zhvillimit akademik dhe rritjes së cilësisë së arsimit të lartë.