Ekspozita “Kreativiteti në Matematikë”
Më 15 janar 2026 është mbajtur në Fakultetin e Edukimit ekspozita me temën “Kreativiteti në Matematikë”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të lëndëve për metodologjinë e mësimdhënies së matematikës nga studentët e programit fillor dhe parashkollor të këtij fakulteti nën mbikëqyrjen e profesoreshës Melinda Mula. Ekspozita kishte për qëllim të sensibilizojë studentët dhe mësimdhënësit lidhur me rëndësinë e qasjes kreative në mësimdhënien e matematikës, si dhe ndikimin e saj në zhvillimin e të menduarit logjik, analitik, kritik, krijues e kreativ te nxënësit.
Ekspozita solli në vëmendje se matematika nuk përfaqëson vetëm një disiplinë të bazuar në numra dhe rregulla, por edhe një fushë që nxit imagjinatën dhe të nxënit e qëndrueshëm. Kreativiteti, inovacioni dhe integrimi i teknologjisë në mësimdhënien e matematikës i ndihmon nxënësit që të zhvillojnë mendimin kritik dhe zgjidhjen e suksesshme të problemeve nga jeta e përditshme. Në ekspozitë morën pjesë mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave të ndryshme të Gjakovës, si dhe profesorë e studentë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan lart përkushtimin dhe idetë bashkëkohore të studentëve për të përdorur teknika inovatore në sqarimin e koncepteve matematikore në mënyrë të përshtatshme për moshat parashkollore dhe fillore.