
Takim i rëndësishëm në kuadër të projektit SHER, me përfaqësuesit e KREN-it për avancimin e digjitalizimit në Universitet
Gjakovë, 8 Maj 2025
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, së bashku me udhëheqësin e Zyrës së IT-së z. Arbër Krypa dhe zyrtarin e IT-së z. Amir Sahatqija, zhvilluan një takim konstruktiv me përfaqësuesit e rrjetit KREN (Kosovo Research and Education Network).
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth iniciativave konkrete për digjitalizimin e mëtejshëm të proceseve në Universitet, si dhe për shfrytëzimin më efektiv të mundësive që ofron rrjeti KREN për institucionet arsimore dhe kërkimore në Kosovë.
Ky takim u realizua në kuadër të mbështetjes së projektit Sustainable Higher Education and Research – SHER, i cili ka angazhuar ekspertë të fushës së teknologjisë për të organizuar trajnime profesionale në përdorimin e softuerëve të avancuar që ofrohen përmes KREN-it. Nga ana e projektit SHER, në takim morën pjesë z. Nehat Dervishi si përfaqësues i projektit dhe eksperti i IT-së i angazhuar, z. Albert Aliu.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe potencialin e madh që KREN-i ofron për ngritjen e kapaciteteve digjitale të universiteteve publike në Kosovë.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të jetë i përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike dhe në promovimin e inovacionit në shërbim të studentëve, stafit akademik dhe komunitetit më të gjerë akademik.