logo

Fakulteti i Edukimit

Programi Parashkollor

Programi parashkollor është një nga programet për të cilat ka kërkesa në tregun e punës, për faktin se gjithmonë e më shumë rrjeti i Institucioneve Parashkollore në vend po zgjerohet. Ndryshimet dhe zhvillimet bazuar në Kornizën e Kurrikulit të Kosovës shtrojnë kërkesën për edukim parashkollor të institucionalizuar për të cilën edhe kërkohen edukatorë të kualifikuar.
Kualifikimi dhe përgatitja e edukatoreve për të punuar me fëmijët nga grup mosha 3-6 vjeç është kërkesë e domosdoshme e kohës.
Fakulteti i Edukimit, aktualisht e ka tregun më të sigurt të punës nga të diplomuarit. Pas përfundimit të studimeve, studentët janë të gatshëm të gjejnë punë në shkollat fillore të Kosovës. Në Kosovë, Universitetet private nuk kanë të drejtën ligjore të ofrojnë programe për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj, prandaj Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani"  mbetet institucioni që përgatit mësimdhënës për arsimin parafillor/parashkollor.
Mësimdhënësit e diplomuar në Fakultetin e Edukimit fitojnë njohuri dhe do të mësojnë rregullat e mësimdhënies dhe të mësuarit e fushave të ndryshme mësimore, si dhe do të njihen me relacionet ndërmjet proceseve mësimore në një anë dhe individit dhe shoqërisë në anën tjetër. Po ashtu, të diplomuarit në Fakultetin e Edukimit përfitojnë spektrin e plotë të kompetencave të veçanta profesionale që kërkohen për zotërimin e fushave të tyre studimore dhe/ose disiplinën në të cilën ata do të punojnë si profesionistë (mësimdhënie, këshillim, etj.)

Gjatë kësaj periudhe, studentët priten të aftësohen në:
  • Planifikimin edhe organizimin e formave të ndryshme të aktiviteteve me grup moshat 3-6 vjeç,
  • Përdorimin e kurrikulës gjatë punës me fëmijët parashkollor në institucione parashkollore, 
  • Ndërlidhjen e informacioneve teorike me punën praktike në Institucione parashkollore me fëmijët e grup moshave përkatëse,
  • Krijimin e një përvoje pozitive mbi të nxënit dhe fitimin e shkathtësive bazë për punë efektive me fëmijë,
  • Aplikimin e rezultateve shkencore në punën e përditshme me fëmijë,
  • Zbatimin e teknologjisë informative në përputhje me kërkesat e kohës,
  • Përgatitjen e studentëve si edukatore të ardhshme në aplikimin e parimeve të inkluzionit,
  • Demonstrimin e shkathtësive për përdorimin e formave të ndryshme të vlerësimit gjatë praktikës mësimore me fëmijët në institucione parashkollore,
  • Ndërtimin e raporteve pozitive në shkollë me kolegët, prindërit dhe komunitetin.